“Dy Rrugët e Idromenos”, të enjten hapet ekspozita me kurator Adrian Pacin

Ekspozita hapet ditën e enjte, 26 janar, në orën 17:45.

“Emni i Kolë Idromenos asht i lidhun ngusht me atë që quejmë Rilindje në artet shqiptare. Autori i të parit portret realist në pikture asht njëkohësisht edhe arkitekt, inxhinier, skenograf e fotograf. Personazh i çuditshëm, poliedrik dhe njëkohësisht i pashkollë, amator e mjeshtër i shumë fushave, përçues i kodeve të stabilizueme e novator, Kolë Idromeno do të imponohet si figura ma përfaqësuese e artit shqiptar të fundit të shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX.

Kjo ekspozitë nuk merr përsipër të analizojë të gjithë spektrin e aktivitetit të Idromenos, por duke u nisë nga një zbulim i fundit në arkivën e Muzeut Marubi, vendos përballë një seri fotografike me pikturën e tij të mirënjohun “Dy Rrugët” . Gjithashtu pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe disa punime në pikture të paekspozueme ma pare: “Shën Pjetri e Shën Pali me katër ungjilltarët” si dhe një tabllo që na paraqet mundimet e ferrit.

Në tabllonë “Dy Rrugët” narracioni asht i kjartë e po ashtu morali që rrjedh prej tij. Piktura nuk na paraqitet me zona të errëta, ngarkesa dramatike, figuracione fantazmagorike e misterioze. Rruga për në parajsë asht e mundimshme, e zhveshur e pa gjelbërim, kurse drejt derës së madhe të ferrit asht drejtue një vargan i madh njerëzish. Ky “proçesion” njerëzor duket sikur rrëshqet pa bujë dhe si pa e kuptue, skenë mbas skene, përfundon tek një destinacion i tmerrshëm në gropen e thekshme të skëterrës.

Ma shumë se modelet e pikturës italiane tablloja të kujton disi skena të Hieronymus Bosch-it apo Peter Brueghel-it, ku figurat jane të zhytuna në pejsazh dhe nuk janë aspak volumet njerëzore ato që përcaktojnë dinamikat e mëdha kompozicionale të tabllosë. Një dozë folklorizmi si dhe një ndjesi humori popullor i heq tabllosë së Idromenos hijen e randë dhe tingëllimën retorike, që mund të kishte trajtimi i një teme të kësaj natyre.

Kol Idromeno

Krejt ndryshe na shfaqet grupi i fotografive që, me shumë gjasa, janë shkrepje që Kola i ka ba si parapërgatitje për një seri pikturash. Kronologjia nuk asht e sigurtë, por periudha duhet të jetë ajo mes 1892-1894, kur mjeshtri shkodran ka punue për tabllonë “Dy Rrugët”. Prania në ekspozitë e pikturës “Betimi në Rrenë”, ku dy djaj i tërheqin me danë e i presin me gërshanë gjuhën një mëkatari, ndërsa ai digjet në flakët e ferrit, si dhe afërsia e saj me fotografinë që ekspozohet këtu, tregon se ka shumë mundësi që edhe fotot e tjera të kenë pasë si destinacion final një projekt pikturash. I sigurtë asht fakti se këto foto nuk janë përdorë për skenat e tabllosë “Dy Rrugët”. Asnjë nga skenat që shohim në tabllonë e madhe, nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me inskenimet e bame për realizimin e këtyne fotografive. Krahas imazheve ku vërejmë figura mashkullore në rolin e djajve të çakërdisun që lëshohen mbi viktimat e tyne, kemi edhe foto të tjera në poza ma të buta e të përshpirtshme, siç asht fotoja e një burri të veshun si frat, i cili hap duert në shenj pranimi të vullnetit hyjnor, apo të një burri tjetër i cili duket se ka marrë rrugën e pendimit. Fakti asht se fotografitë na shfaqen ma shprehëse dhe ma befasuese se pikturat. Duket sikur në trajtimin e telajos, përpunimin e ngjyrës, ravijëzimin e anatomisë dhe deformimin e qëllimshëm të figurave, diçka asht bjerrë nga forca e imazhit. Kurse në ndërtimin e fotografisë, vizioni na vjen i drejtëpërdrejtë e me forcë të jashtëzakonshme. Skena e kompozueme në pozën fotografike dhe natyrshmëniarealiste që sjellin me vete personazhet që Idromeno i ka marrë prej rruge, i ka zhveshë,u ka dhanë do vegla në dorë dhe u ka thane me u shtremnue sa të munden para objektivit të tij, kanë krijue një zonë takimi shpërthyese mes fiksionit dhe realitetit të pasun të personazheve.

Këtu Kolë Idromeno nuk asht piktori i harmonive delikate të jetës qytetare. Ai na shfaqet si zbulues i një dramaticiteti të vrullshëm gati-gati teatral, por njëkohësisht, të mbushun me sens humori dhe njëfarë vendosmënie për ta shijue jetën tokësore. Plotëninë e ngërthimit të trupave dhe ritmit të gjymtyreve e shoqnon zbrazëtia e qetë e sfondit dhe fondalet që herëmbashere na shfaqen mbas personazheve.

Duke pa fotot e Kolë Idromenos, nuk ka sesi mos me na ardhë ndër mend skenat pazoliniane nga finalja e “Salo, ose 120 ditët e Sodomës”. Torturat mbi trupat e djemve dhe vajzave, me të cilat Pierpaolo Pasolini e mbyll filmin e vet, të kujtojnë drejtëpërsëdrejti skenat e fotografueme nga Idromeno.

Lejimi për ekspozimin e pikturës “Dy Rrugët”, pjesë e koleksionit të Muzeut Historik të qytetit, mundësohet nga bashkëpunimi me Bashkinë Shkodër. Kjo ekspozitë mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s